Lajme Flash

UDHËZIM I MD, MB NR.3880/3, DATË 3.6.2011
UDHËZIM I PËRBASHKËT Nr.3880/3, datë 3.6.2011 PËR PROCEDURAT E BASHKËPUNIMIT TË SHËRBIMIT TË PËRMBARIMIT GJYQËSOR SHTETËROR ME POLICINË E SHTETIT
Në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 523 të Kodit të Procedurës Civile, të nenit 30 të ligjit nr.8730, datë 18.1.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të përmbarimit gjyqësor”, UDHËZOJMË: 1. Policia e Shtetit bashkëpunon me Drejtorinë e Përgjithshme të Përmbarimit dhe zyrat vendore të përmbarimit gjyqësor shtetëror për të siguruar rendin dhe qetësinë publike para, gjatë dhe pas ekzekutimit të titujve ekzekutivë, me qëllim zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke respektuar pavarësinë e tyre dhe shmangien e konflikteve civile që mund të gjenerojnë vepra penale. 2. Kërkesat për bashkëpunim kufizohen vetëm në ato raste kur strukturat e përmbarimit gjyqësor shtetëror çmojnë që gjatë kryerjes së procedurave të ekzekutimit të titujve ekzekutivë do të ketë pengesa apo rezistencë për kryerjen e detyrës apo kur ka arsye të besueshme prej të cilave rrezikohet jeta e personave të pranishëm dhe ndërhyrja policore është e domosdoshme. 3. Me qëllim sigurimin e bashkëpunimit, zyrat vendore të përmbarimit gjyqësor shtetëror i drejtohen Policisë së Shtetit në rrugë zyrtare jo më vonë se 3 ditë përpara ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Në rastet e urgjencës apo të ekzekutimit të titullit në mënyrë të menjëhershme, njoftimi bëhet verbalisht, por në këtë rast kërkesa me shkrim paraqitet jo më vonë se 24 orë përpara ekzekutimit të titullit ekzekutiv. 4. Në kërkesën për bashkëpunim, zyrat vendore të përmbarimit gjyqësor shtetëror paraqesin çdo informacion të nevojshëm lidhur me situatat e krijuara në përputhje me pikën 2 të këtij udhëzimi, me qëllim marrjen e masave parandaluese dhe mundësimin e ekzekutimit të titujve ekzekutivë në përputhje me legjislacionin në fuqi. 3662 5. Policia e Shtetit detyrohet t’i përgjigjet kërkesës së bërë brenda 2 ditëve nga marrja e saj, me përjashtim të rasteve, të cilat çmohet se paraqesin urgjencë të veçantë apo legjislacioni në fuqi e parashikon ndryshe. 6. Me qëllim dhënien e ndihmës së kërkuar, Policia e Shtetit në varësi të situatës përcakton e vlerëson shkallën e rrezikshmërisë që mund të paraqitet gjatë procesit të ekzekutimit dhe mbi këtë bazë planifikon personelin, mjetet, pajisjet dhe mbështetjen teknike të nevojshme. 7. Në rast se për shkak të përmbushjes së detyrave të saj funksionale, për arsye madhore apo shkaqe të tjera të rëndësisë së veçantë, Policia e Shtetit nuk mund të mbështesë zyrat vendore të përmbarimit gjyqësor shtetëror, strukturat e Policisë së Shtetit njoftojnë me shkrim ose me mjet tjetër komunikimi këto struktura për mosmbështetjen me forca e mjete në datën e kërkuar, të paktën mbi 12 orë përpara datës dhe orës së caktuar për ekzekutim, duke argumentuar arsyen e mosbashkëpunimit apo të mosveprimit. 8. Gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë Policia e Shtetit eviton rastet e ndërhyrjeve nga të tjerët, si dhe merr masa për të ndaluar rastet e shpërdorimit të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke favorizuar padrejtësisht ndonjërën nga palët. 9. Përmbaruesi gjyqësor, pas ekzekutimit të titujve ekzekutivë, përpilon procesverbalin për ekzekutimin pa probleme, të nënshkruar nga palët pjesëmarrëse në ekzekutim, si dhe përfaqësuesi i Policisë së Shtetit. Një kopje e procesverbalit i dorëzohet përfaqësuesit të Policisë së Shtetit të pranishëm në ekzekutim. 10. Për çdo informacion të marrë gjatë ushtrimit të veprimtarisë, i cili mund të jetë me interes për strukturat e Policisë së Shtetit, përmbaruesit gjyqësorë kanë detyrimin e ruajtjes së fshehtësisë në raport me të tretët, përveç strukturave të Policisë së Shtetit, organit të prokurorisë apo gjykatës. 11. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSMINISTRI I DREJTËSISË MINISTRI I BRENDSHËM
Brikena Kasmi Bujar Nishani


16/06/2011 V.K.M SISTEMI ALBIS
VENDIM PER KRIJIMIN, REGJISTRIMIN, MENYREN E FUNKSIONIMIT, TE ADMINISTRIMIT E TE NDERVEPRIMIT DHE PER SIGURINE E SISTEMIT TE MENAXHIMIT ELEKTRONIK TE CESHTJEVE TE PERMBARIMIT GJYQESOR (ALBIS)