Ligji i Shërbimit

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT TË PËRMBARIMIT GJYQËSOR

L I G J

Nr.8730, datë 18.1.2001

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT TË PËRMBARIMIT GJYQËSOR


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

L I G J

Nr.8730, datë 18.1.2001

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT TË PËRMBARIMIT GJYQËSOR


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit

Ky ligj përcakton:

a) rregullat e organizimit dhe të funksionimit të Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor;

b) kriteret që duhet të përmbushin shtetasit që të emërohen përmbarues gjyqësorë;

c) statusin dhe procedimin disiplinor të përmbaruesit gjyqësor;

ç) marrëdhëniet me institucionet shtetërore dhe me subjektet e tjera publike dhe private.

Neni 2

Objekti i veprimtarisë

1. Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor ka për mision ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë, në rastet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile.

2. Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor i ushtron funksionet nëpërmjet përmbaruesve gjyqësorë.

Neni 3

Organizimi

Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor ka organizim unik dhe të centralizuar, me shtrirje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 4

Parimet e veprimtarisë

Ligjshmëria dhe objektiviteti, si dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me ligj subjekteve që marrin pjesë në ekzekutim, janë parimet bazë të punës së Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor.

Neni 5

Përmbaruesi gjyqësor

1. Përmbaruesi gjyqësor është personi i ngarkuar me ligj për kryerjen e veprimtarisë së vënies në ekzekutim të titujve ekzekutivë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.

2. Në ushtrimin e veprimtarisë së tij përmbaruesi gjyqësor duhet të karakterizohet nga ndershmëria, paanësia dhe profesionalizmi.

3. Përmbaruesi gjyqësor në ushtrimin e veprimtarisë së tij përfaqëson autoritetin shtetëror.

KREU II

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I SHËRBIMIT TË PËRMBARIMIT GJYQËSOR

Neni 6

Nivelet e organizimit

Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor varet nga ministri i Drejtësisë dhe organizohet në nivel qendror dhe vendor, si vijon:

a) Drejtoria e Përgjithshme përbën nivelin qendror të organizimit.

b) Zyrat përmbarimore, brenda juridiksionit të çdo rrethi gjyqësor të shkallës së parë, përbëjnë nivelin vendor të organizimit dhe varen administrativisht nga Drejtoria e Përgjithshme.

Neni 7

Drejtori i Përgjithshëm

1. Drejtori i përgjithshëm përgjigjet për drejtimin, bashkërendimin dhe kontrollin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor.

2. Drejtori i përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë.

Neni 8

Përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm

Drejtori i përgjithshëm ka këto përgjegjësi:

a) Drejton dhe kontrollon veprimtarinë e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor.

b) Siguron zbatimin e njëjtë të akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe të praktikave në fushën e veprimtarisë procedurale të ekzekutimit.

c) Përgatit dhe nxjerr urdhra, udhëzime të brendshme dhe metodika për trajtimin në përgjithësi të çështjeve në ekzekutim.

ç) I propozon ministrit të Drejtësisë emërimin dhe shkarkimin e kryetarëve të zyrave përmbarimore.

d) Kontrollon dokumentimin e veprimtarisë përmbarimore.

dh) Organizon dhe ndjek edukimin profesional dhe trajnimin e përmbaruesve gjyqësorë.

e) Ndjek zbatimin e etikës profesionale gjatë veprimtarisë përmbarimore.

ë) Përfaqëson Shërbimin e Përmbarimit Gjyqësor në marrëdhënie me të tretët.

f) Ushtron përgjegjësi të tjera të përcaktuara me ligj.

Neni 9

Organizimi i zyrave përmbarimore

1. Zyrat përmbarimore pranë çdo rrethi gjyqësor përbëhen nga:

a) kryetari i zyrës;

b) përmbaruesit gjyqësorë;

c) personeli administrativ dhe teknik.

2. Çdo zyrë përmbarimore është person juridik dhe ka vulën e vet.

Neni 10

Organika

1. Numri i përgjithshëm i përmbaruesve gjyqësorë të Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor caktohet nga kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë.

2. Struktura e Drejtorisë së Përgjithshme dhe e zyrave përmbarimore, organikat e tyre, si dhe rregullat e hollësishme për funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor përcaktohen nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm.

Neni 11

Burimet financiare

1. Për realizimin e detyrave, Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor ka buxhetin e vet, si pjesë të veçantë brenda buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë.

2. Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor ka të drejtë të përdorë të ardhura të tjera që lejohen me ligj.

Neni 12

Sigurimi i të ardhurave nga veprimtaria përmbarimore

1. Çdo veprim përmbarimor kryhet vetëm kundrejt pagimit të tarifave përkatëse.

2. Tarifat përmbarimore përcaktohen me akt normativ të ministrit të Drejtësisë.

3. Ndarja e të ardhurave, kriteret e procedurat e administrimit dhe të shpërndarjes së të ardhurave përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave.

KREU III

KËSHILLI I PËRMBARIMIT

Neni 13

Përbërja

1. Këshilli i Përmbarimit përbëhet nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, drejtori i Drejtorisë së Personelit, Organizimit dhe Shërbimeve në Ministri, kryetari i Zyrës Përmbarimore të Tiranës dhe një këshilltar i ministrit të Drejtësisë.

2. Rregullat për funksionimin e Këshillit të Përmbarimit dhe procedurat që ndjek ai përcaktohen nga ministri i Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin e këtij Këshilli.

Neni 14

Përgjegjësitë e Këshillit të Përmbarimit

1. Këshilli i Përmbarimit zhvillon konkurs për emërimin e përmbaruesve gjyqësorë dhe shqyrton shkeljet disiplinore të kryera prej tyre.

2. Këshilli i Përmbarimit bën çdo vit vlerësimin e aftësive profesionale të përmbaruesve gjyqësorë, bazuar në kriteret e cilësisë, të vëllimit të punës, të shpejtësisë dhe të figurës së tyre morale, si më poshtë:

shumë mirë

mirë

pranueshëm

i paaftë

Sistemi i vlerësimit të punës së përmbaruesve gjyqësorë përcaktohet nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, pasi të jetë marrë mendimi i Këshillit të Përmbarimit.

3. Këshilli i Përmbarimit ka funksion këshillimor dhe ia paraqet, në çdo rast, mendimin e vet ministrit të Drejtësisë, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga kjo paraqitje.

KREU IV

STATUSI I PËRMBARUESIT GJYQËSOR

Neni 15

Emërimi i përmbaruesit gjyqësor

1. Emërohet përmbarues gjyqësor shtetasi shqiptar që plotëson këto kushte:

a) Ka zotësi të plotë për të vepruar.

b) Ka kryer arsimin e lartë juridik.

c) Gëzon figurë të pastër morale.

ç) Nuk është i dënuar për kryerjen e një vepre penale me vendim gjyqësor të formës së prerë.

d) Nuk është larguar nga administrata publike për shkelje disiplinore brenda një afati prej 3 vjetësh nga data e depozitimit të kërkesës; kur shkelja disiplinore është kryer gjatë ushtrimit të funksionit si gjyqtar, prokuror, oficer i policisë gjyqësore, noter ose avokat, afati është 5 vjet.

2. Pranimi në Shërbimin e Përmbarimit Gjyqësor bëhet me konkurs. Këshilli i Përmbarimit ndjek procedurat e paraqitjes, të përzgjedhjes dhe të vlerësimit të kandidaturave dhe mendimin e vet ia paraqet ministrit të Drejtësisë brenda 15 ditëve.

3. Konkurruesi fitues emërohet përkohësisht përmbarues gjyqësor nga ministri i Drejtësisë, për një periudhë prove 3-mujore.

Neni 16

Periudha e provës

1. Gjatë periudhës së provës, përmbaruesi gjyqësor është nën kujdesin e një përmbaruesi të vjetër në detyrë dhe vlerësohet nga eprori i tij. Veprimtaritë e trajnimit janë të detyrueshme për përmbaruesin gjyqësor në periudhën e provës.

2. Në fund të periudhës së provës, ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm, vendos:

emërimin përfundimtar si përmbarues gjyqësor;

largimin nga Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor.

3. Në rastin e pikës 2 shkronja “b” të këtij neni, personi përkatës gëzon të drejtat e përmbaruesit gjyqësor vetëm për periudhën e kohës së provës.

Neni 17

Papajtueshmëritë

1. Përmbaruesi gjyqësor nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë ose veprimtari tjetër publike, me përjashtim të atyre edukative e të mësimdhënies.

2. Ai nuk duhet të jetë në marrëdhënie pune ose të kryejë veprimtari të tjera, të cilat paraqesin konflikt interesash me detyrën që ka ose pengojnë përmbushjen e saj.

3. Përmbaruesi gjyqësor nuk duhet të jetë anëtar i organeve qendrore ose ekzekutive të partive politike.

Neni 18

Përjashtimi i përmbaruesit gjyqësor

1. Përmbaruesi gjyqësor është i detyruar të heqë dorë nga ekzekutimi i çështjes kur:

a) ka interes në çështje ose në një mosmarrëveshje tjetër që ka lidhje me atë në ekzekutim;

b) ai vetë ose bashkëshortja është i afërt deri në shkallë të katërt, ose ka krushqi, deri në shkallë të dytë, ose është i lidhur me detyrime birësimi ose bashkëjeton, në mënyrë të përhershme me njërën nga palët ose nga mbrojtësit;

c) ai vetë ose bashkëshortja është në konflikt gjyqësor ose në armiqësi, ose në marrëdhënie kredie ose huaje me njërën prej palëve, ose me njërin prej përfaqësuesve;

ç) është kujdestar, punëdhënës i njërës prej palëve, administrator ose ka një detyrë tjetër në një ent, shoqatë, shoqëri ose institucion tjetër, që kanë interesa për çështjen në ekzekutim;

d) vërtetohen, në çdo rast tjetër, sipas rrethanave konkrete, arsye serioze njëanshmërie.

2. Kërkesa për heqjen dorë i paraqitet për vendim kryetarit të zyrës përkatëse përmbarimore. Në rastin e heqjes dorë nga kryetari i zyrës përmbarimore, kërkesa i paraqitet për vendim drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor. Përmbajtja e kërkesës u njoftohet palëve.

Neni 19

Heqja dorë e përmbaruesit gjyqësor

1. Përmbaruesi gjyqësor, i cili vlerëson me ndërgjegje se ka arsye për të mos marrë pjesë në ekzekutimin e një çështjeje, i kërkon të zëvendësohet kryetarit të zyrës përmbarimore. Kryetari i zyrës përmbarimore, kur e sheh me vend kërkesën, urdhëron zëvendësimin e tij me një tjetër përmbarues gjyqësor të asaj zyre.

2. Për kryetarin e zyrës përmbarimore zëvendësimi urdhërohet nga drejtori i përgjithshëm.

Neni 20

Të drejtat

Përmbaruesit gjyqësorë gëzojnë edhe këto të drejta:

a) Marrin pjesë në sindikata ose shoqata profesionale.

b) Përfitojnë trajtim shëndetësor dhe sigurime shoqërore për vete dhe për pjesëtarët e familjes që kanë në ngarkim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

c) U paguhen shpenzimet për udhëtime pune, sipas kritereve dhe masës së parashikuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

ç) Trajnohen nga shteti për ngritjen e nivelit të tyre profesional.

Neni 21

Detyrat

Përmbaruesit gjyqësorë janë të detyruar:

a) të njohin, të respektojnë dhe të zbatojnë Kushtetutën, Kodin e Procedurës Civile, Kodin Civil dhe akte të tjera ligjore e nënligjore, që lidhen me veprimtarinë përmbarimore, si dhe urdhrat, udhëzimet dhe metodikat e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor;

b) të përsosin aftësitë profesionale dhe të marrin pjesë në veprimtaritë trajnuese të organizuara për këtë qëllim.

Neni 22

Paga dhe shpërblimet

1. Paga e përmbaruesit gjyqësor përbëhet nga paga bazë, shtesa mbi pagë dhe shpërblimi i posaçëm.

2. Pagat e punonjësve të përmbarimit gjyqësor përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Përmbaruesi gjyqësor, në varësi të rezultateve të punës, mund të përfitojë një shpërblim, i cili përballohet nga të ardhurat që realizohen, administrohen dhe shpërndahen sipas pikës 3 të nenit 12 të këtij ligji.

4. Përmbaruesi gjyqësor, në varësi të rezultateve në punë, mund të përfitojë një shpërblim, i cili përballohet nga të ardhurat që i mbeten Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me nenin 12 të këtij ligji. Shpërblimi i posaçëm caktohet, në çdo rast, me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

Neni 23

Koha e punës

1. Kohëzgjatja javore e punës dhe orari, si rregull, janë të njëjta me ato të administratës publike.

2. Për nevoja pune, me urdhër të eprorit të drejtpërdrejtë, përmbaruesi gjyqësor është i detyruar të punojë edhe jashtë orarit të punës, në ditët e pushimit javor, në ditët e festave ose edhe kur është me lejen vjetore.

3. Kriteret dhe masa e pagesës për punën jashtë kohëzgjatjes javore dhe orarit të zakonshëm caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 24

Lejet

1. Përmbaruesit gjyqësorë gëzojnë të drejtën e një lejeje vjetore të pagueshme prej 4 javësh kalendarike. Leja vjetore bëhet në muajt korrik-gusht. Në rastet kur përmbaruesi gjyqësor në periudhën korrik-gusht ngarkohet me kryerjen e detyrave të ngutshme ose kur ndërpret lejen për nevoja pune, përveç ditëve të pushimit të mbetura, përmbaruesi gjyqësor përfiton deri në 5 ditë pushimi shtesë.

2. Për nevoja të veçanta vetjake ose familjare, përmbaruesi gjyqësor ka të drejtë të përfitojë leje të papaguar deri në 20 ditë në muaj, por jo më tepër se 30 ditë në vit.

3. Në raste martesash ose vdekjesh brenda familjes, kur është konsumuar koha e parashikuar në pikën 2 të këtij neni, përmbaruesi gjyqësor ka të drejtë të përfitojë deri në 10 ditë leje.

Neni 25

Identifikimi

1. Përmbaruesi gjyqësor ka dokument identifikues, të cilin e paraqet në çdo rast të kryerjes së detyrës. Dokumenti përdoret vetëm gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj.

2. Përcaktimi i dokumentit identifikues bëhet me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

Neni 26

Mbledhja dhe administrimi i të dhënave

1. Përmbaruesi gjyqësor ka të drejtë dhe merr masa për mbledhjen, administrimin dhe ruajtjen e të dhënave që lidhen ngushtë me nevojat e ushtrimit të funksioneve e të detyrave të ngarkuara, duke respektuar garancitë kushtetuese dhe ligjore për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

2. Organet e administratës publike dhe të sistemit të drejtësisë, entet publike, si dhe personat fizikë e juridikë që kanë dokumente dhe të dhëna që lidhen me ekzekutimin, janë të detyruar t’i paraqesin kur u kërkohen nga përmbaruesit gjyqësorë.

3. Të dhënat e marra në përputhje me këtë nen grumbullohen, administrohen, ruhen dhe/ose asgjësohen, në përputhje me dispozitat përkatëse në fuqi.

Neni 27

Mbrojtja e veçantë e përmbaruesit gjyqësor

Kur përmbaruesit gjyqësor, gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj, i rrezikohet jeta, familja ose i dëmtohet prona, shteti i garanton mbrojtje të veçantë, kushtet dhe mënyrat e përfitimit të së cilës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 28

Komandimi

1. Për nevoja të punës, pranë një zyre përmbarimore, mund të caktohet një përmbarues gjyqësor i zyrës përmbarimore më të afërt me të për ekzekutimin e një numri titujsh ekzekutivë.

2. Përmbaruesit gjyqësor mund t’i kërkohet të lëvizë në një zyrë tjetër të afërt përmbarimore jo më shumë se 2 periudha në vit, deri në 3 muaj secila. Në fund të këtij afati, përmbaruesi gjyqësor kthehet përsëri në vendin e tij të mëparshëm.

3. Caktimi dhe lëvizja urdhërohen nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, pasi të ketë dëgjuar përmbaruesin gjyqësor.

Neni 29

Pezullimi dhe ruajtja e vendit të punës

1. Përmbaruesi gjyqësor mund të pezullohet nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, kur ndaj tij fillon ndjekje penale, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

2. Përmbaruesit gjyqësor i ruhet vendi i punës:

gjatë periudhës së thirrjes nën armë;

b) për periudha studimi, kur drejtori i përgjithshëm jep miratimin.

3. Përmbaruesi gjyqësor nuk paguhet gjatë periudhës së parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni. Në rastin e parashikuar në pikën 1, kur çështja penale pushohet ose kur me vendim gjykate të formës së prerë deklarohet i pafajshëm, përmbaruesit gjyqësor i jepet paga bazë që nga çasti i pezullimit.

4. Periudha e parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni mbahet parasysh për llogaritjen e vjetërsisë në shërbim.

Neni 30

Bashkëpunimi me organet e tjera

1. Përmbaruesi gjyqësor, për kryerjen e detyrave të ngarkuara, bashkëpunon me Policinë e Shtetit, me Policinë Ndërtimore dhe policitë e tjera, me organet e pushtetit vendor dhe prefekturat.

2. Organet shtetërore ose publike janë të detyruara të ndihmojnë përmbaruesin gjyqësor në ushtrimin e funksioneve, sipas ligjit, sa herë që kërkohet ndihma e tyre.

3. Policia e Shtetit dhe ajo Ndërtimore vë në dispozicion të përmbaruesit gjyqësor mjete dhe forca të mjaftueshme për ushtrimin e funksioneve të tij, sipas ligjit. Rregulla të hollësishme për përmbushjen e detyrave sipas kësaj pike caktohen me akte të përbashkëta të ministrit të Drejtësisë me titullarët e institucioneve përkatëse.

4. Kërkesa për dhënien e ndihmës pranë këtyre organeve bëhet nga kryetari i zyrës përmbarimore në rrethin gjyqësor dhe shpenzimet e kryera trajtohen sipas procedurave ligjore për ekzekutimin e detyrueshëm.

KREU V

DISIPLINA DHE LARGIMI

Neni 31

Masat disiplinore

1. Përmbaruesi gjyqësor, që shkel rregullat e parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore që lidhen me detyrën e tij ose nuk i zbaton ato, kur nuk ka vend për përgjegjësi penale, ndëshkohet me njërën nga këto masa disiplinore:

Vërejtje me shkrim

Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra

Shkarkim nga detyra.

2. Procedimi disiplinor fillon jo më vonë se 30 ditë nga çasti i vënies re të shkeljes dhe jo më vonë se 1 vit nga çasti i kryerjes së saj.

3. Nismën për fillimin e procedimit disiplinor e ndërmerr drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor. Këshilli i Përmbarimit jep mendimin e tij brenda 15 ditëve nga fillimi i procedimit.

Neni 32

Dhënia e masës disiplinore dhe shlyerja e saj

1. Masat disiplinore jepen me urdhër të ministrit të Drejtësisë dhe shënohen në dosjen vetjake. Masat disiplinore jepen në mënyrë të shkallëzuar ose në bazë të rëndësisë së shkeljes dhe të pasojave. Për çdo shkelje jepet vetëm një masë disiplinore.

2. Përmbaruesi gjyqësor detyrohet të zhdëmtojë dëmin e shkaktuar, sipas dispozitave në fuqi.

3. Masat e mësipërme jepen sipas një procedure administrative që garanton të drejtën për të marrë të dhëna, për t’u dëgjuar, për t’u mbrojtur dhe për t’u ankuar. Vendimi për marrjen e masës disiplinore i komunikohet me shkrim të interesuarit.

4. Masat e përcaktuara në nenin 31, me përjashtim të shkronjës “c”, mund të shlyhen nëse brenda një viti nga data e dhënies së tyre, ndaj përmbaruesit gjyqësor nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore. Masat disiplinore të shlyera hiqen nga dosja vetjake.

Neni 33

Ankimi

Kundër dhënies së masave disiplinore të parashikuara në pikën 1 të nenit 31 mund të bëhet ankim në gjykatë, sipas rregullave të parashikuara në nenin 328 të Kodit të Procedurës Civile.

Neni 34

Largimi

1. Përmbaruesi gjyqësor largohet nga detyra në këto raste:

kur mbush moshën për pension;

b) kur bëhet i paaftë nga ana shëndetësore për një periudhë kohe mbi një vit;

c) kur humbet zotësinë për të vepruar;

ç) kur kërkon ai vetë;

d) kur shkurtohet funksioni organik;

dh) kur është pranuar në kundërshtim me kriteret e vendosura në këtë ligj.

2. Largimi i përmbaruesit gjyqësor bëhet nga ministri i Drejtësisë.

Neni 35

Shkarkimi

1. Përmbaruesi gjyqësor shkarkohet nga detyra në këto raste:

kur dënohet për kryerjen e një vepre penale;

kur kryen shkelje të rënda të disiplinës në punë;

c) kur kryen në mënyrë të përsëritur thyerje të disiplinës dhe nuk i është hequr masa e dhënë më parë;

ç) kur provohet se ka përdorur funksionin e tij në shërbim të interesave vetjake ose të personave me të cilët ka lidhje familjare;

d) kur provohet se me veprimet ose mosveprimet e tij ka krijuar favore të padrejta për persona të tjerë;

dh) kur nuk përmbush veprimet përmbarimore të parashikuara në ligj;

e) kur është vlerësuar “i paaftë” në përputhje me pikën 2 të nenit 14 të këtij ligji.

2. Shkarkimi i përmbaruesit gjyqësor bëhet nga ministri i Drejtësisë.

KREU VI

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 36

Riorganizimi i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor

Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji duhet të përfundojë riorganizimi i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me rregullat e caktuara në këtë ligj.

Neni 37

Dispozitë kalimtare

Për përmbaruesin gjyqësor, që në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji është duke vazhduar studimet në fakultetin juridik, kriteret e vendosura në shkronjën “b” të pikës 1 të nenit 15 dhe në shkronjën “dh” të pikës 1 të nenit 34 të këtij ligji zbatohen pas mbarimit të periudhës kohore që përfshin vitet që i kanë mbetur për përfundimin e studimeve në fakultetin juridik, plus një vit. Deri në përfundim të kësaj periudhe ai është përmbarues gjyqësor në periudhë prove dhe për të zbatohen rregullat e nenit 16 të këtij ligji.

Neni 38

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.2877, datë 30.1.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani